OSBE-ja kërkon që për zëvendësimin e shenjave informuese në veri të konsultohet Komisioneri i Gjuhëve
Shefi i Misioni të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport, ka reaguar pasi ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dje zëvendësoi tabelat informuese për vendbanime në veri të vendit.
Davenport tha se OSBE-ja e mbështet Komisionerin e Gjuhëve në Zyrën e Kryeministrit në përcaktimin e respektimit të përputhshmërisë gjuhësore sipas legjislacionit në fuqi.
“Hapat për zëvendësimin e tabelave që tregojnë emrat e vendeve në gjuhët zyrtare duhet të pasojnë në konsultim me zyrën e tij”, tha Davenport, transmeton Klankosova.tv.
Në lidhje me zëvendësimin e shenjave informuese në veri të vendit ka reaguar edhe ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, i cili tha se kjo iniciativë duhet të bëhet vetëm duke konsultuar Komisionerin e Gjuhëve dhe duke e interpretuar pozitivisht Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve.
“Mbi iniciativën e fundit për zëvendësimin e tabelave zyrtare që tregojnë emrat e vendeve në veri të Kosovës, u bëj thirrje autoriteteve që ta zbatojnë procesin vetëm pas konsultimit me Komisionerin e Gjuhëve dhe duke interpretuar pozitivisht Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve”, tha Szunyog.