
OSBE-ja mirëpret aktgjykimin e Kushtetueses për Ligjin e KPM-së
Misioni i OSBE-së në Kosovë e ka mirëpritur aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese për të shfuqizuar Ligjin për Komisionin e Pavarur të Medias (KPM).
Gjetjet e Gjykatës, thotë OSBE-ja, nënvizojnë rëndësinë thelbësore të ruajtjes së pavarësisë dhe efektivitetit të KPM-së në përputhje me Kushtetutën dhe standardet ndërkombëtare, duke përfshirë rekomandimet nga Këshilli i Evropës dhe Komisioni i Venedikut.
“Ne e mirëpresim këtë mundësi të ripërtërirë për një shqyrtim gjithëpërfshirës të kuadrit ligjor. Konsultimi i gjerë me ekspertë vendas dhe ndërkombëtarë do të jetë thelbësor për të siguruar që legjislacioni i ardhshëm të mbështesë integritetin dhe pavarësinë e KPM-së”, ka thënë OSBE-ja në reagim.
OSBE-ja thotë se mbetet e përkushtuar për të mbështetur Kosovën në forcimin e institucioneve demokratike dhe përafrimin e legjislacionit me praktikat më të mira ndërkombëtare.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës, më 23 prill, e ka shfuqizuar Ligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM), pasi gjeti se disa nene të ligjit, nuk janë përputhje me Kushtetutën e Kosovës.