OSBE-ja, partnere e Ministrisë së Drejtësisë për mbështetjen në zbatimin e reformave
Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi ka pritur sot në takim shefin e misionit të OSBE-së, ambasadorin Jan Braathu.
Ministri Selimi, fillimisht ka falënderuar Braathun për përkrahjen e ofruar ndaj Ministrisë së Drejtësisë dhe njëherit e ka informuar me prioritetet e mandatit të tij, përfshirë reformën në drejtësi, luftën kundër korrupsionit si dhe forcimin e shtetit ligjor.
Duke folur për bashkëpunimin dhe bashkërendimin e aktiviteteve, ministri Selimi ka vlerësuar gatishmërinë dhe përkrahjen e misionit të OSBE-së, i cili mbetet partner i rëndësishëm për Ministrinë e Drejtësisë, veçanërisht në sferën e sundimit të ligjit dhe promovimin e të drejtave të njeriut.
Nga ana tjetër, ambasadori Braathu shprehu gatishmërinë e tij dhe të misionit të OSBE-së për të bashkëpunuar dhe asistuar Ministrinë e Drejtësisë me çdo program mbështetjeje teknike për forcimin e kapaciteteve të këtij institucioni në reformat e ndërmarra.
(M.Q / Epoka e re)