OSBE: Republika Serbe kërcënon paqen dhe stabilitetin në Bosnjë e rajon
Kryetarja e OSBE-së, ministrja e Jashtme suedeze Ann Linde dhe sekretarja e Përgjithshme e Organizatës Helga Maria Schmid vlerësuan sot se miratimi i një sërë konkluzionesh në Asamblenë e Republikës Serbe që bëjnë thirrje për një tërheqje të njëanshme nga nivelet e shtetit dhe të entiteteve kërcënon paqen dhe stabilitetin në BeH dhe rajon.
Ann Linde beson se masa çon në një përshkallëzim të tensioneve dhe është në kundërshtim me atë që është arritur në 26 vjetët e fundit.
“U bëjmë thirrje udhëheqësve politikë në Republikën Serbe që të përmbahen nga veprimet politike negative që shkaktojnë ndarje“, tha Linde.
Ajo shtoi se rrezikimi i Marrëveshjes së Dejtonit dhe rendit kushtetues të BeH mbart me vete rrezikun e rrezikimit të paqes dhe stabilitetit në vend dhe rajon.
Ndërsa, sekretarja e Përgjithshme e Organizatës Helga Maria Schmid tha se kriza e vazhdueshme po ndikon në ekonomi, duke dekurajuar investimet dhe duke ngadalësuar reformat kryesore.
“Për fat të keq, barra e kësaj krize do të bjerë sërish mbi qytetarët që tashmë po përballen me rritje të papunësisë, korrupsionit dhe mangësive shëndetësore”, pohon ajo.
Linde dhe Schmid u bënë thirrje të gjitha palëve që të rivendosin funksionalitetin e plotë të institucioneve të nivelit shtetëror dhe të angazhohen në dialog politik konstruktiv në mënyrë që të arrihet një konsensus për të mirën e të gjithë qytetarëve të Bosnjës dhe Hercegovinës.