OShP-ja në vitin 2017 ka pranuar 541 ankesa
Demokracia Plus (D+) në bashkëpunim me Organin Shqyrtues të Prokurimit (OShP) dhe Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik, kanë organizuar konferencën e fundvitit, në të cilën janë përmendur sfidat e prokurimit publik në vitin që po lëmë pas dhe perspektivën për vitin 2018.
Vlerësohet se problemet kryesore të identifikuara në këtë periudhë të raportimit lidhen me mos konsistencën në vendimet e OShP-së dhe krijimin e pasigurisë juridike në interpretimin e legjislacionit.
Në kuadër të kësaj periudhe, Isuf Zejna nga Demokracia Plus (D+), ka thënë se gjatë monitorimit ka ndodhur edhe ngritje e aktakuzës, gjë e cila ka zbritur numrin e anëtarëve të OShP-së nga pesë në tre anëtarë aktiv, të cilët mund të merren me shqyrtimin e ankesave.
Sipas tij, në mes të OShP-së dhe Prokurorisë së shtetit duket se qëndron një mur i pa kalueshëm, pasi që nuk ka asnjë bashkëpunim të dukshëm për adresimin e rasteve të shkeljeve të rënda dhe të qëllimshme në prokurim.
Ndërsa Blerim Dina, kryetar i Bordit të OShP-së ka thënë se ky organ gjatë periudhës janar deri më 28 dhjetor 2017, ka pranuar gjithsejtë 541 ankesa të parashtruara nga operatorët e ndryshëm ekonomik.
Sipas tij, në shqyrtim e sipër janë edhe 80 ankesa. Mirëpo, Dina ka shfaqur brengën e tij për presionin që po i bëhet OShP-së me intervistimin e shpeshtë nga ana e hetuesisë dhe prokurorisë.