Osman Krasniqi nga AKR-ja i bashkohet Lëvizjes Vetëvendosje
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka bërë me dije se subjektit që drejton i është bashkuar Osman Krasniqi, i cili vjen nga Prizreni dhe që deri më tani ka qenë pjesë e AKR-së.
“Me kryetarin e Prizrenit Mytaher Haskukën, në një takim të përzemërt mirëpritëm z. Krasniqin në subjektin tonë. Si inxhinier i diplomuar i Elektroteknikës, qytetar aktiv i Prizrenit, punëtor i ditur e i devotshëm kudo e kurdo, z. Krasniqi është përforcim për organizatën tonë dhe rritje për Lëvizjen tonë drejt sfidave të së ardhmes”, ka shkruar Kurti në llogarinë e vet në “Facebook”.
Ai ka shtuar se në zgjedhjet e fundit lokale Osman Krasniqi ishte kandidat i AKR-së për kryetar të komunës së Prizrenit.
“Përkrahja dhe ndihma e tij në balotazh ishin tejet të vlefshme për fitoren e shkëlqyeshme që i hapi rrugë ndryshimit të madh në Prizren”, ka thënë Kurti.
/Epoka e re/