Osman Vishaj propozohet për ta udhëhequr KRPP-në
Komisionit për Buxhet dhe Financa ka mbajtur të mërkurën mbledhjen e radhës, e cila është kryesuar nga nënkryetarja e këtij komisioni, Safete Hadergjonaj.
Me shumicë votash është vendosur që të dërgohet për në seancë plenare për votim emri i Osman Vishajt, i cili u rekomandua nga Komisioni për Buxhet dhe Financa që ta udhëheqë Komisionin Rregulltativ të Prokurimit Publik (KRPP).
Kryesuesja e këtij komisioni, Safete Hadergjonaj, ka thënë se personi në fjalë i plotëson kriteret e kërkuara dhe ka dërguar CV-në e tij, me anë të së cilës është dëshmuar që nuk është nën hetime apo i akuzuar për ndonjë vepër penale.
Dardan Molliqaj nga PSD-ja ka thënë se e njeh personalisht Vishajn dhe, sipas tij ai posedon integritet profesional dhe moral.
Ndërkaq, deputetja e LV-së, Arbërie Nagafc, ka hedhur dyshime tek Vishaj lidhur me akuzën për keqpërdorim të detyrës zyrtare në QKUK.
Mirëpo, deputetja e PDK-së, Safete Hadergjonaj, ka thënë se Vishaj ka dërguar dëshmi nga Gjykata që nuk është nën hetime.
Emri për kryetar të Komisionit Rregulativ për Prokurim Publik propozohet nga Qeveria dhe emërohet nga Kuvendi me mandat pesë vjet.
Po ashtu, në këtë mbledhë është marrë vendim që t’i dërgohen Kuvendit për miratim pesë emra për Fondin Pensional të Kosovës.
Për kryesues të bordit është propozuar Ruzhdi Morina, ndërkaq për anëtar u propozuan: Frederika Artesani, Behxhet Halitit, Driton Qehaja, si dhe Imer Imeri.
/Epoka e re/ A. MAVRAJ