Osmanaj për draft-statutin e asociacionit: Pikë kyçe është marrëveshja e vitit 2013

30 janar 2023 | 15:14

Fondacioni Friedrich Ebert (FES) në Prishtinë ka prezantuar draft-statutin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, i hartuar nga kjo organizatë në partneritet me Institutin Evropian për Paqe.

Sipas këtij draft-statusi, Asociacioni do të formohet në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, raporton “EO”.

Përfaqësuesi i FES-it për Kosovë dhe Maqedoni të Veriut, Rene Schlee, ka thënë se ky është projekt i mbështetur në pragmatizëm politik.

Ai ka thënë se draft-statuti është propozim konkret, duke shtuar se ka pasur debat, por pak përparim sa i përket asociacionit.

Ai ka thënë se tri objektivat e draft-statutit janë se ai është në një linjë me Kushtetutën, merren parasysh shqetësimet dhe kërkesat e komunitetit serb dhe është në linjë me marrëveshjet e Brukselit, marrëveshjen e parimeve të vitit 2013.

“E dimë rëndësinë që ka kjo temë e asociacionit, dhe jemi shumë të vetëdijshëm për sfidat. Ky publikim duhet të shihet si pikënisje për diskutim për këtë çështje, kjo është vetëm starti. Prapë siç iu referova objektives si fondacion që mbështesin dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ka pasur shumë debate për këtë çështje por nuk ka pasur prezantime. Është dashur që t’i arrijmë dy objektiva”, ka thënë Schlee.

Ndërsa Susanne Gentz, menaxhere e lartë e programit të fqinjësisë evropiane, ka thënë se procesi deri këtu ka shkuar në bashkëpunim me ekspertët.

“Kjo punë është në linjë me të gjitha marrëveshjet ekzistuese. Në bashkëpunim me fondacionin, kemi pasur rastin që t’i shohim parimet se si të shkohet tutje. Procesi deri këtu ka shkuar në bashkëpunim me ekspertet, shpresojmë që të reflektojë atë që potencialisht të jetë e aplikueshme. Shpresojmë që të përmirësoj situatën më tutje”, është shprehur ajo.

Në anën tjetër, Egzon Osmanaj, koordinator i projektit, ka thënë se një nga pikat kyçe të asociacionit është marrëveshja e vitit 2013. Sipas tij, drafti ka qenë produkt i FES-it dhe Institutit Evropian për Paqe.

“Ka pasur tendenca me e ndërlidh me faktorë tjerë se ka qenë e porositur prej dikujt. Rrjedhja e drafteve ka shtuar presionin tek kolegët tanë. Kemi dashur të jemi transparent dhe të hapur. Terminologjia e përdorur bazohet në Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe kuadrin ligjor të saj. Që të jetë më përfshirës kemi organizuar një seri të punëtorive me të cilët kemi diskutuar me ekspertë, akademikë dhe të gjitha diskutimet janë përfshirë aq sa kemi pasur mundësi”, ka thënë ai.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Bayern Munchen është shumë pranë marrëveshjes për të nënshkruar me…