Osmani: Adem Jashari u shndërrua në referencë universale të lirisë
Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, ka marrë pjesë në akademinë kushtuar Komandantit Legjendar Adem Jashari.
Ajo ka thënë se Adem Jashari e mbrojti pragun e shtëpisë, por shtëpia e tij reale ishte Kosova e familja e tij ishte i gjithë populli liridashës i Kosovës.
“Si në çdo përvjetor, sot jemi këtu në 22 vjetorin e rënies së komandantit Adem Jashari, i cili më përpjekjen e tij për liri u shndërrua në referencë universale të lirisë. Kryengritësi para të cilit përkulemi sot, betejën për liri e nisi pikërisht nga shtëpia e tij, e cila u bë fortifikatë e rezistencës ndaj shume sulmeve të forcave serbe përgjatë disa dekadave. Sulmet e vazhdueshme ndaj familjes Jashari, dëshmonin çdo ditë e më shumë synimet gjenocidale të shtetit serb”, ka thënë Osmani.
Ajo ka theksuar se ngjarjet e 5, 6 e 7 marsit 1998 në Prekaz ishin vazhdimësi e përpjekjes së popullit të Kosovës për liri e pavarësi.
“Sot, ne jo vetëm që i kujtojmë, por edhe jemi krenar që familja e komandantit Adem Jashari është përtërirë. Ademi i ri, Shabani, Zarifja, Zahidja dhe të gjithë pasardhësit e tjerë tashmë shikojnë kah e ardhmja. Ata presin të jetojnë në një Kosovë më të mirë dhe ne ua kemi borxh ta bëjmë atë. Familja Jashari vërtetë përbën një rast të rrallë në historinë njerëzore. Me rezistencën dhe sakrificën e saj, ajo ndikoi në ndërrimin e rrjedhave të historisë. Kjo rrjedhë historike e prodhoi 12 qershorin e vitit 1999, kur Kosova u çlirua dhe më pas 17 shkurtin e vitit 2008, kur Kosova u shpallë Republikë e pavarur”, ka thënë Osmani.
/Epoka e re/