Osmani: Adem Jashari u shndërrua në simbol të rezistencës shqiptare
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se sot më 5 mars përkujtojnë veprën heroike të komandantit legjendar Adem Jashari dhe Familjes Jashari.
“Adem Jashari u shndërrua në simbol të rezistencës shqiptare. Sot jemi mbledhur jo vetëm për t’i kujtuar por edhe për ta ripërtërirë kujtesën tonë. Secili shqiptar ishte i gatshëm në atë kohë të sakrifikonte gjithçka – edhe jetën e tij”.
“Beteja e Jasharajve u shndërrua në inspirim për mijëra të rinj e të rejave. U falemi atyre. Ne ndërtojmë kujtimin e tyre veç e veç. Nuk mund t’i përmbledh në numër viktimat e asaj beteje, atij tmerri”.
“Ata nuk janë thjeshtë një numër, secili është histori në vete që prek rrëfimin tonë. Historia e secilit prej tyre është historia e Kosovës”, ka thënë Osmani.
Osmani ka thënë se Adem Jashari i ka bashkërenduar përpjekjet për liri në të gjitha format e rezistencës.