Osmani: Aleatët asnjëherë nuk kanë qenë pro dinarit, duhet bashkëpunim me ta që të informohen qytetarët

05 shkurt 2024 | 12:57

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka komentuar reagimet ndërkombëtare për dinarin dhe gjithashtu edhe për mbylljen e strukturave paralele serbe.

Ajo ka thënë se aleatët asnjëherë nuk kanë qenë pro dinarit, e as kundër Kushtetutës së Kosovës. Sipas Osmanit, duhet të ketë vetëm bashkëpunim me ndërkombëtarët për informimin e qytetarëve.

“Sa i përket çështjes së parë më lejoni të them se në vitin 2013 është nënshkruar një marrëveshje ndërkombëtare, ku parashihet që Serbia ka detyrim t’i zhbëjë të gjitha strukturat ilegale apo paralele në Kosovë. Jo vetëm që nuk ka ndërmarrë masa t’i zhbëjë këto struktura, por ato i ka fuqizuar dhe deri në masën që sot janë shndërruar në banda që kryejnë sulme terroriste. Kosova e ka obligim kushtetuese e ndërkombëtar, e obligim ligjor që këto struktura që mund të rrezikojnë sigurinë, të mos i lejojë të funksionojnë”.

“Në këtë përpjekje më lejoni një gjë ta bëj të qartë: aleatët tanë i kemi në krahë. Aleatët tanë asnjëherë nuk kanë qenë kundër Kushtetutës së Kosovës, asnjëherë herë nuk kanë qenë pro dinarit serb, asnjëherë nuk kanë qenë kundër sundimit të ligjit. Këtë Kushtetutë dhe çdo sukses që e kemi arritur në Kosovë e kemi arritur bashkë me aleatët tanë, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Gjermaninë. Rrjedhimisht unë nuk shoh asgjë abnormale në bashkëpunimin ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe aleatëve në gjetjen e rrugëve efektive me të cilat do të informoheshin qytetarët se si do të zbatohet rregullorja e BQK-së, rregullore që nuk e përmend diku dinarin, por që ka të bëjë me parandalimin e spastrimit të parave dhe korrupsionit. Koordinimi ynë me aleatët për zbatimin sa më efektiv e të qëndrueshëm të Kushtetutës nuk është gjë e keqe, por është gjëja më e mirë e më e mençur. Strukturat ilegale nuk kanë të drejtë të ekzistojnë nga viti 1999 kur i është dhënë fund prezencës së institucioneve serbe në Kosovë. Edhe ato i tejkalojmë së bashku, e inkurajoj këtë bashkëpunim, e inkurajoj dialogun konstruktiv. E përsëris atë që thashë para disa ditësh, edhe Kushtetutën edhe aleatët. Këto nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën”, ka thënë Osmani në konferencën e përbashkët për medie me ministrin gjerman të Mbrojtjes,  Boris Pistorius.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka nisur vizitën…