Osmani: Austria mbetet partnere strategjike e Kosovës

22 qershor 2021 | 14:22

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka nisur sot vizitën zyrtare në Austri.

Pas nderimeve më të larta shtetërore, takimin e parë presidentja Osmani e ka realizuar me presidentin austriak, Alexander Van der Bellen.

Të dy bashkëbiseduesit kanë përmendur marrëdhëniet miqësore ndërmjet shteteve dhe njëherësh kanë shprehur gatishmërinë për avancimin e tyre.

Me këtë rast, presidentja Osmani ka falënderuar presidentin Van der Bellen për mbështetjen e Austrisë për Kosovën që nga njohja e pavarësisë e deri në ballafaqimin me pandeminë. “Austria mbetet partner strategjik dhe një prej aleatëve më të afërt për Republikën tonë. Institucionet tona dhe populli ynë ju janë përherë mirënjohës”, ka theksuar Osmani.

Më tej, ajo ka potencuar se pret vazhdimin e mbështetjes austriake edhe në rrugën evropiane të Kosovës, procesin e liberalizimit të vizave sikurse edhe anëtarësimit në organizata të tjera ndërkombëtare.

“Ne te Austria shohim shtetin mik që na ka mbështetur në faza të ndjeshme përgjatë historisë. Përpjekjet tona për pavarësi kanë gjetur mbështetje të fuqishme nga shteti austriak qysh në kohën e presidentit historik, dr. Ibrahim Rugova. Pastaj më mbështetjen ndaj të rinjve tanë që kanë studiuar në universitetet austriake, për të vazhduar me mbështetjen në procesin e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Sot, sërish na duhet mbështetja austriake që ne të lëvizim lirshëm dhe që ta forcojmë edhe më tej subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës. Besoj fuqishëm që Austrinë do ta kemi në krah”, ka theksuar Osmani pas takimit me presidentin Van der Bellen.

Duke u fokusuar të mundësitë e reja për bashkëpunim, përveç bashkëpunimit në fushën e investimeve ekonomike, arsimit, si dhe bashkëpunimin kulturor, presidentja Osmani theksoi se fokus i veçantë i kësaj vizite është edhe shkëmbimi i njohurive dhe përvojave më të mira në fushën e mbrojtjes së mjedisit dhe promovimit të Agjendës së Gjelbër.

Presidentja Osmani ka përmendur po ashtu diasporën kosovare në këtë shtet, e cila përbën urë të fortë miqësie ndërmjet të dy shteteve.

Në lidhje me dialogun, presidentja Osmani ritheksoi qëndrimin e institucioneve të Republikës së Kosovës që dialogu duhet të përfundojë me njohje të ndërsjellë brenda kufijve aktual.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sot nga ora 21:00 përballen Kroacia dhe Skocia në kuadër…