Osmani: ‘Ballkani i hapur’ e hap rajonin për ndikim edhe më të madh të Rusisë

18 maj 2022 | 14:01

Presidentja Vjosa Osmani, e ka bërë të qartë se Kosova nuk ka ndryshuar qëndrim sa i përket pjesëmarrjes në iniciativën rajonale “Ballkani i hapur”.

Ajo në konferencën e përbashkët me presidentin e Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, ka thënë se “Ballkani i hapur” do ta ekspozonte më shumë rajonin e Ballkanit Perëndimor ndaj ndikimit rus.

“Edhe nga takimi i fundit i G7-ës është potencuar që bashkëpunimi rajonal i Ballkanit Perëndimor përkrahet në kuadër të Procesit të Berlinit, proces në të cilin Kosova vazhdimisht ka kontribuar dhe ka treguar rol konstruktiv. Ky është një proces i cili vërtet ka për qëllim që të ofrojë shtetet tona drejt Bashkimit Evropian, për dallim prej iniciativës ‘Open Ballkan’ e cila mendoj që ka dëshmuar sidomos në muajt e fundit që do të rezultonte me hapjen e rajonit tonë për një ndikim edhe më të madh të Rusisë. Ne atë duhet ta ndalojmë me çdo kusht dhe po ashtu në vend se ta përshpejtonte ecjen e shteteve tona drejt Bashkimit Evropian do t’i vendoste ato në një paradhomë ose dhomë pritjeje dhe rrjedhimisht do ta zgjaste procesin e integrimit në struktura euro-atlantike gjë që fare nuk është në interes të rajonit tonë”, ka thënë Osmani.

Më tutje, Osmani ka thënë se Kosova do ta zhvillojë bashkëpunimin rajonal në iniciativat ekzistuese ku bën pjesë, në veçanti në Procesin e Berlinit.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Remzije Rexhallari shpall të pavlefshme dëftesën e klases së 8-të…