Osmani bashkëbisedon me studentët e huaj që kanë ardhur për vizitë në Kosovë
Presidentja Vjosa Osmani ka zhvilluar sot një bashkëbisedim me 95 studentë të nivelit master në fushën e të drejtave të njeriut dhe demokratizimit, të cilët në kuadër të studimeve të tyre, po qëndrojnë për disa ditë në vizitë studimore në Kosovë.
Presidenca ka njoftuar se Osmani pati mundësi të trajtojë çështje të ndryshme në lidhje me Kosovën, me fokus të veçantë në mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të njeriut.
Studentët patën rastin të mësojnë më shumë mbi shembullin e Kosovës, si model i mirëfilltë i qeverisjes dhe shoqërisë demokratike që siguron mirëqenie dhe siguri për të gjithë.
Ndër të tjera, presidentja Osmani foli për historinë e shtetndërtimit të Kosovës dhe politikat dhe mekanizmat aktual që garantojnë të drejta të barabarta për të gjithë.
Krahas këtyre, gjatë diskutimit me studentët, Osmani foli për prioritetet e institucioneve që ndërlidhen me sundimin e ligjit, investimin në kapitalin njerëzor dhe rini, çështje të sigurisë dhe promovimin e barazisë gjinore.