Osmani: Bashkërendimi me Shqipërinë të jetë në funksion të fuqizimit të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim ministrin në detyrë për Evropë dhe Punë të jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj.
Në takim është biseduar për bashkëpunimin ndërparlamentar, në funksion të forcimit të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.
Ajo ka thënë se ndër synimet e kësaj legjislature mbetet edhe anëtarësimi i Kosovës në disa mekanizma parlamentarë, në të cilat ndihma e Shqipërisë është e domosdoshme.
Më tutje, kryekuvendarja Osmani ka kërkuar nga Cakaj koordinim më të madh ndërmjet Kosovës e Shqipërisë për politikën e jashtme. Sipas saj, nevojiten qëndrime të përbashkëta për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.
Në këtë kontekst, Cakaj ka bërë me dije se në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet të dy shteteve është në plan bashkimi i disa ambasadave e konsullatave, të cilat përveç se një shfrytëzim racional do të përbëjnë edhe një mesazh politik.
Të dy bashkëbiseduesit janë pajtuar se bashkëpunimi ekonomik ndërmjet të dy shteteve nuk është në nivelin e duhur, duke u zotuar për të shmangur pengesat.
Kryekuvendarja Osmani ka kërkuar i heqjen e barrierave jotarifore për bizneset kosovare që operojnë në Shqipëri.
Kurse ministri Cakaj, duke premtuar ndihmë në këtë drejtim ka thënë se është koha për një momentum të ri në bashkëpunimin ekonomik ndërmjet të dy vendeve.
Në këtë takim është diskutuar edhe koordinimi për ta mbështetur diasporën shqiptare si dhe shkelja e të drejtave themelore të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanovc.
Pala shqiptare i ka bërë ftesë zyrtare kryekuvendares Osmani që në një të ardhme të afërt ta zhvillojë një vizitë zyrtare pune në Shqipëri.
/Epoka e re/