Osmani: Bashkësia ndërkombëtare duhet ta rrisë presionin mbi Serbinë për të pagjeturit
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot drejtorin Rajonal të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq për Evropën dhe Azinë Qendrore, Martin Schuepp.
Në këtë takim presidentja Osmani e ka njoftuar Schuepper me përkushtimin e institucioneve të reja të Kosovës për zbardhjen sa më të shpejtë të fatit të 1 639 personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës së Kosovës.
“Për institucionet tona zbardhja e fatit të tyre përbën jo vetëm prioritet politik, por edhe detyrim njerëzor, prandaj ne nuk duam ta trajtojmë këtë proces vetëm si politik, por, mbi të gjitha madje, edhe si humanitar”, ka thënë Osmani.
Sipas presidentes Osmani, është detyrë e institucioneve që ta dëgjojnë zërin e familjeve të të zhdukurve, të bëhen zëri i tyre dhe ne po sigurohemi që të bëjmë gjithçka që familjet të trajtohen dinjitetshëm dhe që të marrin sa më shpejt që të jetë e mundur informata mbi fatin e më të dashurve të tyre.
“Procesi po shkon tepër ngadalë”, është shprehur Osmani, duke shtuar se: “Serbia nuk po tregon gatishmëri për ta zbardhur fatin e këtyre personave, prandaj bashkësia ndërkombëtare duhet ta rrisë presionin mbi Serbinë, që ajo të ofrojë informata për secilin person të zhdukur dhunshëm”, ka thënë Osmani.
Schuepp, ndërkaq, e njoftoi presidenten Osmani për përpjekjet që kjo organizatë po i bën për të siguruar të dhëna për personat e zhdukur.