Osmani: BE-ja ta mbajë premtimin për liberalizimin e vizave
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Bashkimi Evropian nuk ka arritur të realizojë ende premtimin për t’i dhënë popullit të Kosovës liberalizimin e vizave.
Osmani ka thënë se BE-ja duhet të mbajë premtimin, meqë sipas saj 2 milionë qytetarët e Kosovës kanë mbetur larg nga pjesa tjetër e Evropës.
Gjatë mbajtjes së punimeve online të sesionit plenar të SEECP-së, Osmani ka thënë se roli i Kuvendit parlamentar të SEECP-së është shumë i rëndësishëm në kontributin për stabilitetin dhe prosperitetin e Evropës Juglindore.
“Për të gjithë përparimin e bërë, megjithatë Bashkimi Evropian nuk ka arritur të realizojë premtimin e vet për t’i dhënë popullit të Kosovës liberalizimin e vizave të vonuara”.
“Akoma deri më sot pavarësisht nga të gjitha përpjekjet tona dhe arritjet e njohura, 2 milionë kosovarë, një nga popujt më pro evropianë, kanë mbetur larg nga pjesa tjetër e Evropës”, ka thënë Osmani.