Osmani: BE-ja të jetë më e zëshme karshi tendencave destabilizuese të Serbisë në Kosovë
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur të mërkurën në takim ambasadorin e Austrisë në Kosovë, Christoph Weidinger.
Në këtë takim është biseduar për zhvillimet e fundit në veriun e Kosovës. Presidentja Osmani ka ritheksuar se institucionet e Kosovës janë të përkushtuara ta vazhdojnë koordinimin e plotë me partnerët ndërkombëtarë, ashtu siç janë koordinuar edhe deri më tani.
Presidentja Osmani ka kërkuar që Bashkimi Evropian të jetë më i zëshëm karshi tendencave destabilizuese të Serbisë në Kosovë e rajon.
Më tutje, në takim me ambasadorin Weidinger, Osmani ka theksuar se Kosova mbetet e përkushtuar për të kontribuar për paqen dhe stabilitetin në vend dhe rajon.
Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova pret mbështetjen e vazhdueshme të Austrisë për procesin e liberalizimit të vizave, si dhe anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.
Në kontekst të diskutimit me ambasadorin Weidinger, presidentja Osmani ka folur edhe për organizimin e Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, në muajin tetor të këtij viti në Prishtinë.