Osmani, BE-së: I kemi përmbushur të gjitha kriteret dhe s’ka më asnjë arsye që ta mbani Kosovën në geto
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, bëri thirrje që qytetarëve të vendit që e drejton t’iu liberalizohen vizat, ndërsa shtetit t’i përkrahet statusi kandidat për BE, kur të aplikojë për të.
“Kosova ka pritur më shumë se pesë vjet që kur Bashkimi Evropian vendosi për liberalizim të vizave për vendin tonë, por ende kjo gjë nuk është bërë. Mijëra të rinj vazhdojnë të humbasin ditë të diplomimit dhe mundësi të ndryshme, sepse nuk mund të sigurojnë terminin për vizë, dhe kjo padrejtësi duhet të mbarojë”, tha Osmani në fjalimin e saj në forumin rajonal në Prespë.
“Ky nuk është një vendim i vështirë, sepse ne veçse i kemi përmbushur të gjitha kriteret dhe s’ka më asnjë arsye që ta mbani Kosovën në geto”, shtoi ajo.
Para liderëve të rajonit dhe të pranishmëve në forum, ajo tha se Bashkimi Evropian duhet të qëndrojë i bashkuar kur bëhet fjalë për Kosovën. “Të dëshmojnë që janë të vërtetë. Në samitin e qershorit do të dëgjojmë fjalime inkurajuese, por neve na duhen vepra”.
Duke iu referuar influencës së Rusisë dhe Kinës në rajon, Osmani deklaroi se historia ka treguar që kurdo që BE dhe ShBA ka lënë vakum për forcat tjera, ata i kanë shfrytëzuar.
“Edhe më të freskëta janë deklarimet e fundit të Vladimir Putinit, për të cilat ka ngritur vëmendje edhe Volodymyr Zelensky, se rusët duan ta zgjerojnë konfliktin edhe më tej Ukrainës”.
Presidentja e Kosovës vuri në dukje edhe mashtrimet që presidenti rus tenton t’i bëjë me krahasimin e luftës së Kosovës me atë që po e bën në Ukrainë.
“Putin ka folur shumë për Kosovën, duke dashur që t’i bëjë krahasimet false. Por ajo që ai po bën sot në Ukrainë, e ka bërë Sllobodan Millosheviqi në Kosovë”, tha ajo. “Sa më shumë vonesa të ketë brenda Bashkimit Evropian, aq më shumë hapësirë do të ketë Rusia për ta rritur potencialin e saj në rajon”.