Osmani bën thirrje për njohjen e Kosovës nga të gjitha shtetet anëtare të OIC-së
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po qëndron në New York ku po mbahet sesioni i 78-të i Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, ka zhvilluar një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik (OIC), Hissein Brahim Taha.
Gjatë takimit, Osmani shprehu vlerësimin për mbështetjen dhe angazhimin e vazhdueshëm të OIC-ja, veçanërisht për Rezolutën vjetore të inicuar nga OIC-ja, e cila bën thirrje për njohjen e Kosovës nga të gjitha shtetet anëtare të kësaj organizate.
Në këtë frymë, presidentja shfaqi shpresën që shtetet anëtare, të cilat nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, ta bëjnë këtë në një të ardhme të afërt.
Presidentja Osmani dhe Sekretari i Përgjithshëm Taha përsëritën përkushtimin e tyre për nxitjen e marrëdhënieve më të fuqishme e produktive ndërmjet Kosovës dhe OIC-së.
Sipas presidentes Osmani, Kosova ka potencial të konsiderueshëm të pashfrytëzuar për investime të huaja në sektorë të ndryshëm.
Në këtë kontekst, presidentja Osmani shtroi nevojën e eksplorimit të fushave të mundshme për bashkëpunim ekonomik ndërmjet Kosovës dhe shteteve anëtare të OIC-së, me fokus të veçantë në tregti dhe investime.
Në takim, Osmani i bëri ftesë Sekretarit të Përgjithshëm Taha që në të ardhmen e afërt të vizitojë Kosovën për t`i shqyrtuar më tej mundësitë për thellimin e bashkëpunimit të ndërsjellë.