Osmani: Beteja e Koshares ia dha goditjen përfundimtare regjimit serb

09 prill 2021 | 12:43

Presidentja e Kosovës ka bërë homazhe në Koshare, në 22-vjetorin e kësaj beteje të UÇK-së.

Në profilin e saj në “Facebook”, ajo ka shkruar se më  9 prilli i vitit 1999 Brigada 138 ia dha goditjen përfundimtare regjimit gjenocidal serb.

Sipas saj, në këtë ditë nuk është hequr vetëm një gur kufiri, por është hequr edhe një pengesë emocionale ndërmjet motrave e vëllezërve në Kosovë e Shqipëri.

Postimi i plotë i Osmanit:

Thyerja e kufirit me Shqipërinë në Koshare nga Brigada 138, nën udhëheqjen e Agim Ramadanit e Sali Çekajt, 22 vjet më parë ishte kambana e lirisë.

Nga 9 prilli i vitit 1999 e deri më 10 qershor, në këtë vend si askund tjetër, trimat e kësaj Brigade, i dhanë goditjen përfundimtare regjimit gjenocidal serb, i cili në këtë datë shënoi kapitullimin.

Në këtë ditë nuk u hoq vetëm një gur kufiri, por u hoq edhe një pengesë emocionale ndërmjet motrave e vëllezërve në Kosovë e Shqipëri.

Liria mori kuptim kur trimat e Brigadës 138, e vulosën përfundimisht lirinë tonë, shtruan bazament të fortë për të ardhmen, shtetin dhe kujtesën historike.

Kësisoj Kosharja u shdërrua dhe vazhdon të jetë pelegrinazh lirie.

Aty u bashkuan trimëria me mendjen, sakrifica me idealin dhe përjetësia me lirinë!

Sot, përkulemi me dinjitet para varreve të këtyre trimave, të cilët mbrojtën dinjitetin, ekzistencën dhe trashëgiminë tonë!

Testamentin e tyre për shtetin do ta përmbushim çdo ditë, me përkushtim maksimal, për të ardhmen e brezave!

Nuk ka më gurë ndërmjet nesh, por ka veç rrugë, ka integrim, ka bashkëpunim ndërvëllazëror dhe kultivim të shpirtit liridashës!

Lavdi dhe kujtim i përhershëm për të gjithë ata që ranë për lirinë tonë!

 

 

 

 

 

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ambasada shqiptare në Paris është një nga selitë më të…