Osmani bisedon me Hovenierin për ndryshimet në administratën amerikane pas fitores së Trumpit
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim të rregullt ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier.
Në takim u diskutua për zhvillimet e fundit, situatën aktuale të sigurisë në vend, forcimin e bashkëpunimit dypalësh dhe ndryshimet në administratën amerikane pas zgjedhjeve të fundit.
Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen për mbështetjen historike bipartizane dhe bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara, si dhe nënvizoi angazhimin e përbashkët për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit.
Në raport me ndryshimet në administratën amerikane si rezultat i zgjedhjeve të fundit, presidentja Osmani përsëriti urimet e Kosovës për presidentin Trump dhe kabinetin e tij, teksa theksoi se aleanca e Kosovës me SHBA-të është ekzistenciale, ndaj shfaqi shpresën që edhe me administratën e re do të vazhdojë bashkëpunimi i shkëlqyeshëm dhe se Kosova edhe më tej do të mbetet në fokusin amerikan.