Osmani: Çështja e dinarit e zgjidhshme, s’është dashur të shkaktonte përplasje me aleatët
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë të premten se çështja e ndalimit të dinarit serb në Kosovë mund të zgjidhet brenda vendit dhe se ajo nuk është dashur të shkaktonte përplasje në mes të Prishtinës dhe aleatëve të saj.
“Kjo çështje mund të zgjidhet këtu në Kosovë. Në fakt, nuk është dashur të bëhej çështje fare. Nuk është dashur të krijohet si përplasje me aleatët”, ka thënë Osmani në një prononcim për medie.
Rregullorja e re e Bankës Qendrore të Kosovës që parasheh euron si valutën e vetme në Kosovë për kryerjen e pagesave me para të gatshme, ka hyrë në fuqi më 1 shkurt.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) e kanë kundërshtuar zbatimin e rregullores së BQK-së, duke thënë se ajo është miratuar pa konsultime paraprake dhe pa marrë për bazë ndikimet negative që mund të ketë te popullata serbe në Kosovë, e cila që nga paslufta ka përdorur dinarin serb.
Çështja e ndalimit të dinarit serb i ka tendosur marrëdhëniet në mes të Qeverisë së Kosovës dhe ShBA-së. Uashingtoni i ka kërkuar qeverisë së kryeministrit Albin Kurti ta shtyjë zbatimin e rregullores. Por, Kurti ka insistuar se kjo rregullore nuk do të zhbëhet.
Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, ka thënë se ShBA-ja mund të mos e trajtojë Kosovën si partnere, nëse ajo merr vendime pa u konsultuar me të, ndërsa ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, ka theksuar se çështja e dinarit veçse ka ndikuar në cilësinë e marrëdhënieve në mes të ShBA-së dhe Qeverisë së Kosovës.
BQK-ja ka thënë se rregullorja do të zbatohet përmes një tranzicioni të lehtësuar, që do të zgjasë jo më shumë se tre muaj. Ndërkaq, nga ekzekutivi kosovar kanë thënë se së shpejti do të dalin me një listë prej dhjetë masash lidhur me mënyrat se si qytetarët të mos dëmtohen gjatë fazës kalimtare të zbatimit të vendimi.
Osmani u kërkoi institucioneve kosovare të punojnë për zgjidhjen e kësaj çështjeje bazuar në ligjet në vend, por me mbështetjen e aleatëve.
“Jam e bindur se, nëse ka vullnet për një takim i cili mund të zgjasë vetëm disa orë, mund të ulen të gjitha institucionet që do ta zbatojnë në praktikë rregulloren e BQK-së dhe të dalin me hapa konkretë duke u bazuar në ligjet që ekzistojnë në Kosovë dhe ta marrin edhe mbështetjen e aleatëve për zbatimin e saj”, tha Osmani.
Të enjten, presidentja Osmani u takua me ambasadorin amerikan Hovenier për të biseduar për propozimet, që sipas saj, ofrojnë “një zgjidhje të qëndrueshme për planin e tranzicionit për zbatimin e rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës”.
Në njoftimin për medie të Presidencës së Kosovës, megjithatë nuk u bë e ditur se për çfarë propozimesh Osmani ka biseduar me Hovenierin gjatë takimit të tyre të rregullt.
Shteti serb ndan miliona euro për serbët në Kosovë pasi ua paguan atyre – përmes një sistemi paralel – rrogat, pensionet dhe ndihmën shtesë.
Në vende të caktuara në Graçanicë, qytetarët serbë më 20 shkurt nuk kanë mundur të marrin ndihmën sociale dhe shtesat për fëmijë në postë, që punon sipas sistemit serb, sepse punonjësit u kanë thënë se nuk kanë para për t’i paguar këto shtesa.
Po ashtu, më 21 shkurt një grup i mësimdhënësve në Mitrovicë të Veriut protestuan para Kursimores së Postës së Serbisë, pasi nuk morën pagat.
Beogradi e ka kritikuar ashpër rregulloren e BQK-së, duke e interpretuar si synim të Qeverisë së Kosovës për dëbim të serbëve.