Osmani dekoroi me Urdhrin e Pavarësisë kryetaren e ndjerë të Senatit belg, Anne Marie Lizin
Gjatë vizitës së punës në Belgjikë të presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në ambientet e Ambasadës së Republikës së Kosovës është organizuar një ceremoni për dorëzimin e Urdhrit Presidencial për kryetaren e ndjerë të Senatit Belg, Anne Marie Lizin.
Me këtë rast, presidentja Osmani ia ka dorëzuar Urdhrin e Pavarësisë (post mortem) bashkëshortit të zonjës Lizin.
Në prani të familjarëve dhe miqve të ngushtë, Presidentja Osmani ka theksuar se kjo është vetëm një dëshmi e angazhimit të saj të palëkundur ndaj vlerave të lirisë, demokracisë dhe pavarësisë së Kosovës.
“Kontributet e jashtëzakonshme të Anne Marine Lizin kanë lënë një gjurmë të pashlyeshme në kombin tonë dhe përkushtimi i saj ndaj popullit tonë nuk do të harrohet kurrë”, ka theksuar presidentja Osmani.
“Ndonëse ajo nuk është më me ne, shpirti dhe puna e saj vazhdojnë të na frymëzojnë ndërsa ndërtojmë një Kosovë më të fortë”, ka thënë Osmani.