Osmani: Delegacioni i Kosovës nuk arriti t’i sjellë vendit ato që i premtoi qytetarëve
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar për marrëveshjen e arritur në Shtëpinë e Bardhë mes Kosovës dhe Serbisë.
Osmani përmes një postimi në llogarinë e saj në “Facebook”, ka thënë se delegacioni i Kosovës nuk arriti t’i sjellë vendit pikërisht ato që i premtoi qytetarëve dhe Kuvendit.
“- Njohjen e ndërsjellë me Serbinë – Mosnegociimin e shfrytëzimit të resurseve (siç është Ujmani) – Mospranimin e Mini-Schengenit (ose siç e quanin mini-Jugosllavi) – Mosprekjen e kushtetutës dhe deklaratës së pavarësisë (meqë për 1 vit u hoq dorë dhe u shpall moratorium mbi nenin 17 të kushtetutës dhe nenet 8 e 9 të deklaratës së pavarësisë)…”, ka shkruar Osmani.
Ndërkaq për njohjen nga Izraeli, Osmani ka thënë se është një prej njohjeve më të rëndësishme që i ka ardhur Kosovës qe një kohë të gjatë.
Postimi i plotë i saj:
Njohja nga Izraeli është një prej njohjeve më të rëndësishme që i ka ardhur Kosovës qe një kohë të gjatë. Kjo edhe njëherë dëshmoi se që nga shpallja e pavarësisë sonë, Shtetet e Bashkuara kanë rol ekzistencial në përkrahjen dhe konsolidimin e subjektivitetit ndërkombëtar te Kosovës.
Në anën tjetër, delegacioni i Kosovës nuk arriti t’i sjellë vendit pikërisht ato që i premtoi qytetarëve dhe Kuvendit qe një kohë të gjatë:
– Njohjen e ndërsjellë me Serbinë
– Mosnegociimin e shfrytëzimit të resurseve (siç është Ujmani)
– Mospranimin e Mini-Schengenit (ose siç e quanin mini-Jugosllavi)
– Mosprekjen e kushtetutës dhe deklaratës së pavarësisë (meqë për 1 vit u hoq dorë dhe u shpall moratorium mbi nenin 17 të kushtetutës dhe nenet 8 e 9 të deklaratës së pavarësisë)
– Rezultate konkrete për të pagjeturit
– Dëmshpërblim për reparacionet e luftës
– Përgjegjësi të Serbisë për krimet e kryera në Kosovë
– Eliminim të plotë të barierave jotarifore që Serbia i ka vënë Kosovës.