Osmani dërgon mesazh nga Antalia: Brukseli duhet ta kuptojë – pa SHBA-në, dialogu me Serbinë është më i dobët

11 prill 2025 | 21:54

Presidentja Osmani po merr pjesë në edicionin e katërt të Forumit Diplomatik të Antalisë. Në fjalimin e saj, presidentja foli për aleancën e përhershme me SHBA-në, për dialogun me Serbinë e për një sërë temash tjera. Gjatë këtij qëndrimi në Antalia, ajo ka takuar edhe presidentin turk dhe atë sirian.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Turqia janë dy aleatët që kanë ndihmuar shumë Kosovën ndër vite. Kështu tha presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në edicionin e katërt të Forumit Diplomatik të Antalisë, me temë “Rikthimi i diplomacisë në një botë të fragmentuar”.

Osmani, e cila po qëndron në Antalia me ftesë të presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, ka folur për rrugëtimin e Kosovës nga lufta e tutje.

“Ne jemi një shembull i mirë që u rrit nga zero, nga hiri, disa gjëra që ishin tërësisht të rrënuara për toke për shkak të diktatorit, për shkak të regjimit dhe gjenocidit por përsëri kombi ynë është një shembull i asaj se si bota u bashkua dhe nuk i mbylli sytë para vuajtjeve dhe represionit të popullit që po vuanin me shekuj të tërë”, tha Vjosa Osmani, presidente e Kosovës .

Sa i përket njohjes së pavarësisë së Kosovës, Osmani tha se pas njohjes nga Kenia, vendi ka filluar një momentum të ri për njohje të reja, por se këtë po e vështirëson propaganda e Serbisë dhe shteteve të tjera diktatoriale.

E para e shtetit foli edhe për dialogun me Serbinë dhe marrëveshjet e arritura.

“Kur flasim për dialogun me Serbinë, e ritheksoj se dialogu është për njohje të ndërsjellë, deri tani kemi diskutuar për lirinë e lëvizjes, mallrave, të zhdukuri, për çka Serbia duhet të hap arkivat e veta nga vitet e 90-ta në mënyrë që të gjenden trupat e të zhdukurve, shumica prej të cilëve janë fëmijë. Por, Serbia po dëshmon që s’është për dialog, por vetëm ne”, tha presidentja e vendit.

Osmani përsëriti rolin e rëndësishëm që SHBA-të kanë në dialog.

“Gjithmonë kam kërkuar përfshirje nga SHBA-të sepse kjo tregon që në këto vite pune dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka vazhduar dhe sa më i fuqishëm që është roli i SHBA-së, marrëveshjet do të jenë më të realizueshme dhe nëse nuk është e përfshirë SHBA-ja, procesi do të jetë më i dobët”, shtoi ajo.

Gjatë qëndrimit në Turqi, Osmani është takuar edhe me homologun turk, Recep Tayyip Erdogan për të cilin tha se është lider që i qëndroi Kosovës pranë gjithmonë, në çdo sfidë e në çdo sukses.

Ajo ka theksuar se Erdogan është një mik i dëshmuar i Kosovës, një zë i fuqishëm për të drejtën tonë, dhe një shtyllë e fortë mbështetjeje në çdo etapë të shtetndërtimit tonë.

Po ashtu, Osmani ka takuar edhe presidentin e Sirisë, Ahmet al Sharaa (Ahmed al Shirau), me të cilin ka biseduar për hapjen e kapitujve të ri të bashkëpunimit mes dy vendeve. Sipas saj, Kosova dhe Siria ndajnë plagë të njëjta, dhimbjen e luftës, shpërnguljen dhe sfidën e rindërtimit. /RTK

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një ngjarje e rëndë ka tronditur komunitetin shqiptar në Zvicër,…