Osmani: Dërgova delegacion në inaugurimin e Trumpit, e dini se e kam uruar personalisht dhe kam biseduar me të

21 janar 2025 | 13:37

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përsëritur edhe një herë arsyen pse nuk mori pjesë në inaugurimin e presidentit amerikan, Donald Trump.

Ajo ka thënë se duke marrë parasysh që shumë shtete janë përfaqësuar nga ambasadorit, i njëjti model është zbatuar edhe nga Kosova.

“Siç ju kam informuar, në këtë ceremoni kam qenë e ftuar nga anëtarë të Kongresit dhe të Senatit. Meqenëse shumica dërmuese e shteteve siç keni mundur ta shihni dje sa i përket liderëve shtetëror që janë udhëheqësesh shtetesh janë përfaqësuar nga ambasadorët, të njëjtin model protokollar e kemi zbatuar edhe ne. Unë kam dërguar një delegacion Presidencial të udhëhequr nga shefja ime e stafit dhe këshilltarja për politikë të jashtme. Të shoqëruara nga ambasadori ynë në ShBA, Ilir Dugolli, kanë marrë pjesë në të gjitha aktivitetet inauguruese e të cilat në fakt akoma po vazhdojnë, përfshirë takime të ekipit që unë e kam deleguar dhe sapo të përfundojnë të gjitha takimet e tyre, ne do të lëshojmë një komunikatë ku do ta informojmë publikun për të gjitha këto takime”, ka thënë Osmani.

Presidentja ka shtuar se ajo e ka uruar personalisht Trumpin gjatë vizitës në Paris, e madje edhe kanë biseduar rreth Kosovës.

“Siç e dini, unë tashmë kam pasur mundësi që ta uroj personalisht presidentin Trump, gjatë vizitës në Paris dhe jo vetëm që ta uroj por njëkohësisht të kem edhe një bisedë përmbajtjesore me të lidhur me situatën e sigurisë në Kosovë dhe në rajonin tonë, dhe rreziqet të cilat i kanosen këtij rajoni. Kam shprehur besimin e plotë në lidershipin e tij për ta ruajtur paqen dhe sigurinë në Kosovë dhe me gjerë dhe për ta thelluar bashkëpunimin dhe jam e kënaqur dhe shumë optimiste pas asaj bisede”, ka thënë Osmani.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kombëtarja e Shqipërisë do të nisë edicionin kualifikues për Kupën…