Osmani dhe Apostolova diskutojnë për përbërjen e qeverisë së re
Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Vjosa Osmani, të enjten ka takuar përfaqësuesen e posaçme të BE-së dhe shefen e zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova.
Temë diskutimi ishin situata aktuale politike në Kosovë, prioritetet e LDK-së dhe diskutimet për përbërjen e qeverisë së re.
Nënkryetarja, Osmani foli për vazhdimin e takimeve të grupeve punuese të LDK-së me ato të LV-së për përpjekjet për përafrimin e programeve të të dy partive drejt një programi të përbashkët qeverisës.
Po ashtu, të enjten nënkryetarja e LDK-së Vjosa Osmani është takuar edhe me ambasadoren e Finlandës në Kosovë, Pia Stjernvall.
Gjatë takimit janë diskutuar për prioritetet kyçe të qeverisjes së ardhshme, në veçanti reformat në institucionet e Kosovës, zhvillimin ekonomik, arsimin dhe çështje tjera të cilat ndikojnë në zhvillimin e Kosovës.
/Epoka e re/