Osmani dhe Kurti bëjnë homazhe te varri i Fehmi Aganit

06 maj 2021 | 09:44

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti kanë bërë homazhe te varri i Fehmi Aganit, në 22 vjetorin e vrasjes së tij, ndërsa kërkuan drejtësi për të gjitha viktimat në Kosovë nga regjimi gjenocidal i Serbisë.

“Sot e kujtuam njeriun e urtë e veprimtarin e madh, bashkudhëtarin politik të arkitektit të pavarësisë së Kosovës, dr. Ibrahim Rugovës, njeriun e dijeve e të ideve për konsolidimin e shtetit, profesor Fehmi Aganin. Ai u vra më 6 maj 1999 nga regjimi gjenocidal serb i Millosheviçit. Vrasja e tij qe përpjekje për ta dobësuar vullnetin dhe këmbëngultësinë e shqiptarëve për liri dhe pavarësi”, ka thënë Osmani.

Ajo ka theksuar se Agani tërë jetën e kaloi në përpjekje për përjetësimin e idealeve të brezave të tërë për liri e pavarësi të Kosovës.

“Profesor Agani luftoi tërë jetën për idealin e shqiptarëve për liri dhe e mbajti të gjallë vazhdimisht ëndrrën për ta parë të jetësuar atë”, ka deklaruar presidentja Osmani.

Kryeministri Kurti tha se sot në 22- vjetorin e rrëmbimit dhe vrasjes kriminale të profesor Fehmi Aganit, vendosen lule të freskëta te varri i tij dhe bënë nderim për figurën e tij, roli dhe kontributi i së cilit është i madh.

Si profesor, akademik dhe intelektual, Fehmi Agani, siç u shpreh kryeministri Kurti, kishte formim të thellë social dhe të lartë humanist, ndërkaq si veprimtar politik dhe si politikan udhëheqës ai ishte paqësor për nga karakteri dhe përparimtar për nga synimi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Federata Angleze e Futbollit ka konfirmuar se tifozët do të…