Osmani dhe Kurti kërkojnë të ketë më shumë gra në Policinë e Kosovës
Numri i grave në institucionet e sigurisë vazhdon të jetë i ulët, me vetëm 15 për qind prej tyre që janë në polici. Kështu është thënë të hënën në konferencën e lansimit të agjendës për barazi gjinore në Policinë e Kosovës dhe planin e veprimit 2021-2023
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se barazia gjinore duhet të jetë e përditshme dhe jo për të përmbushur kuotën gjinore.
Ajo është shprehur se përkrahja institucionale për gratë në institucionet e sigurisë nuk duhet të mungojë asnjëherë.
“Ne duhet t’i inkurajojmë gratë që të bëhen pjesë e institucioneve dhe duhet t’i shmangim stereotipat se institucionet janë vetëm të burrave. Të dhënat tregojnë se janë 15 për qind gra në polici, në FSK me 11 për qind e kështu më radhë. Të gjithëve na mbetet më shumë punë, që këto statistika të rriten në përfaqshim në rolin e grave në vendimmarrje, dhe gratë nuk duhet të jenë vetëm për ta mbuluar kuotën e tyre, por duhet të marrin më shumë vendimmarrje e kështu më radhë”, ka thënë Osmani.
Ndërsa kryeministri Albin Kurti, ka thënë se barazia gjinore nuk ka për qëllim vetëm kuotën gjinore, por është edhe detyrim ligjor.
“Arritja e barazisë gjinore nuk ka të bëjë vetëm me rritjen e kuotës gjinore, por është detyrim ligjor për të arritur sundim të ligjit. Kur gratë e raportojnë dhunën, duhet të gjejnë polici mbështetëse, dhe nuk duhet ta ndiejnë veten të vetme”, ka deklaruar Kurti.
Në anën tjetër, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se mbi 15 për qind e të punësuarve në Policinë e Kosovës janë gra.