Osmani dhe Kurti përkujtojnë vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zekën
Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani dhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, kanë bërë homazhe pranë varreve të vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës, me rastin e 39-vjetorit të vrasjes se tyre.
Osmani ka thënë se vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zeka janë krenari e Kosovës, të cilët sipas saj kanë trasuar rrugën e lirisë.
“Sot, në 39-vjetorin e vrasjes, nderuam kujtimin e vëllezërve Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zekës.
Me aktivitetin e tyre të përbashkët patriotik për lirinë e vendit, ata jo vetëm që dhanë mesazhin për bashkimin e shqiptarëve, por edhe u sakrifikuan për të. Pothuajse katër dekada më pas, vepra e tyre kujtohet me respekt dhe është model i përkushtimit për lirinë e vendit, siç ishte shprehur në vitin 2002, me rastin e kthimit të eshtrave të heronjve në Dubovik, presidenti Ibrahim Rugova: ‘Puna dhe vepra e tyre na e lanë lirinë e cila na duhet si buka dhe fryma e Zotit, e këtë diti ta bëjë Jusuf Gërvalla’. Ata trasuan rrugën e lirisë, ndërkaq krenaria për ta e shembulli i tyre do të përcillet ndër breza. Jetoftë përjetë kujtimi për Jusuf e Bardhosh Gërvallën dhe Kadri Zekën!”, ka shkruar Osmani në llogarinë e vet në “Facebook”.