Osmani dhe Kurti po e ndrydhin LDK-në
Baton Haxhiu, i lidhur online me emisionin “Opinion” te TV Klan, i ka komentuar veprimet e kryeministrit Albin Kurtit me shkarkimin e ministrit të Brendshëm.
Haxhiu e ka vlerësuar si “sjellje fëmijërore” aktin e Kurtit që në një moment kur vendi ndodhet në karantinë për shkak të koronavirusit, merr kësi vendime. “Është një turp i asaj që ka ndodhur ditën e djeshme, një sjellje fëmijërore e kryeministrit dhe e kësaj qeverie, në një kohë kur njerëzit kanë halle me karantinën e tyre dhe nuk ka gati qytet që nuk është përfshirë me 2 apo tre raste me koronavirus”. “Nëse u ik definimeve çfarë është kryeministri po e shpjegoj, një frikacak që nuk guxon të marrë vendime qeveritare për qytetarët. Arsyeja është njëfarë lloj bashkimi mes zotit Kurti dhe zonjës Vjosa Osmani që ka filluar herët gjatë fushatës. Një binom që ka pasur dy qëllime: rikthimin e Albin Kurtit dhe fitoren e tij, jo vetëm me votat e qytetarëve dhe nëse jo poshtërimin, ndrydhjen e LDK-së dhe krijimin e pabarazisë. Agim Veliu është kandidat kryesor për drejtimin e LDK-së, ndërsa Albin Kurti kërkon t’ia transferojë Vjosa Osmanit, partneres së vet dhe duke e futur LDK-në në një beteje të brendshme, për t’ia lehtësuar vetes qeverisjen. Për këtë fjali u shkarkua një ministër i Brendshëm duke e quajtur tradhtar, tradhti ndaj policisë dhe ndaj qeverisë. Në kësi situate Albin Kurti e gjen armikun.
Është një luftë për pushtet në kohë krize. Ja çfarë do të ndodhë: Nesër bëhet mocioni i mosbesimit të kësaj qeverie. Ata kanë 43-44 vota për mocionin e mosbesimit. Deri në 85 vota do të jenë pro, varësisht kush ka guximin të dalë nga shtëpia e të shkojë në parlament, sepse me siguri kjo situatë do t’i shtyjë një pjesë të njerëzve të mos vijnë në parlament. Po dhe pastaj topi shkon te Kushtetuta dhe Kushtetuta thotë: ose duhet të zgjidhet Kryeministri i ri ose vendi duhet të shkojë në zgjedhje. Për shkak se situata është e tillë, nuk besoj se e fundit mund të jetë qeveria e unitetit kombëtar minus Vetëvendosja. Logjika politike kështu thotë pasi Vetëvendosja e shkatërroi qeverisjen në një moment delikat për Kosovën”, tha Haxhiu.