Osmani: Dialogu me Serbinë të mos ndërlidhet me liberalizimin e vizave
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim Ministrin kroat për punë të Jashtme dhe Çështje Evropiane, Gordan Grlić Radman, me të cilin kanë folur për marrëdhëniet ndërmjet shteteve, pandeminë dhe dialogun Kosovë-Serbi.
Presidentja Osmani ka theksuar se procesi i dialogut me Serbinë nuk duhet ndërlidhur me liberalizimin e vizave, ngase sipas saj Kosova tashmë ka plotësuar kriteret për liberalizim vizash, pavarësisht se ka pas dyfish kritere më shumë se sa vendet e tjera.
“Kosovës duhet t’i jepet liberalizimi i vizave menjëherë, sepse Kosova i ka plotësuar kriteret ndërkaq BE-ja duhet ta mbajë premtimin e jo ta konsiderojë liberalizim si peng të procese të tjera”, ka theksuar Presidentja Osmani, sipas njoftimit të Presidencës.
Ndërkaq ministri Radman ka potencuar se shteti i tij e ka mbështetur dhe do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në rrugën e saj evropiane, sikurse edhe në procesin e liberalizimit të vizave.