Osmani: Diskriminimi e bulizmi janë plagë të thella që dëmtojnë të ardhmen e atyre që i përjetojnë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ëshë bashkuar fushatës për të luftuar diskriminimin dhe bulizmin, duke i cilësuar që të dya si plagë që rrezikojnë të ardhmen e qytetarëve.
“Nisemi në një udhëtim të përbashkët të përkushtimit dhe solidaritetit. Diskriminimi dhe bulizmi nuk janë thjesht fjalë, por plagë të thella që dëmtojnë të ardhmen e atyre që përballen me to. Prandaj, ne qëndrojmë bashkuar për të thënë JO diskriminimit dhe bulizmit, për të mbrojtur të drejtat e çdo individi dhe për të ndërtuar një shoqëri më të drejtë dhe më të barabartë,” deklaroi Osmani.
Presidentja shprehu këtë qëndrim në rrjetet e saj sociale, duke e përkthyer në tre gjuhë.
“Kjo nismë është një thirrje për veprim, për secilin individ, shkollë, biznes dhe institucion që të bashkohet me ne në këtë luftë të drejtë. Me këtë fushatë, ne premtojmë të qëndrojmë pranë çdo viktime, të përfaqësojmë zërin e tyre dhe të krijojmë një ambient ku secili ndihet i pranuar dhe i respektuar,” tha ajo.
Osmani shtoi se ne duhet të jemi modeli që dëshirojmë të shohim në botë, duke treguar se respekti dhe dhembshuria janë më të fuqishme se urrejtja dhe paragjykimi.
Kjo fushatë ka marrë mbështetjen e përfaqësuesve të Bashkimit Evropian dhe organizatave të shoqërisë civile të përfshira në luftën kundër diskriminimit.