Osmani: Do të kujdesem që ta ruaj trashëgiminë dhe miqësitë që i krijoi ish-presidenti Rugova

02 dhjetor 2021 | 11:53

Presidentja Vjosa Osmani ka kujtuar ish-presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugova në ditëlindjen e tij.

Osmani ka thënë se Ibrahim Rugova, bashkë me shumë burra e gra që dhanë gjithçka për këtë vend, e rrënjosën thellë në shpirtrat tanë këmbënguljen për ta arritur lirinë e për ta krijuar shtetin e pavarur.

Nëpërmjet një shkrimi në llogarinë e vet në  “Facebook”, Osmani ka thënë e si presidente e vendit do të kujdeset që trashëgimia politike e Rugovës, miqësitë që krijoi për vendin e sidomos ajo me ShBA por edhe me vendet e BE-së të ruhen e të kultivohen.

“Sot është ditëlindja e ideatorit të Republikës sonë të mosvarme, presidentit historik të Kosovës, dr. Ibrahim Rugovës. Në çdo ditëlindje të tij, ne e kujtojmë atë me mallin e respektin që bijtë e bijat e vendit e tregojnë për atin themelues të shtetit të tyre. Por, e kujtojmë edhe si njeri model, skajshmërisht të butë në pamje e në komunikim, por po kaq këmbëngulës e të vendosur në vizionin e tij për ta realizuar ëndrrën e brezave për të jetuar të lirë. Ibrahim Rugova, bashkë me shumë burra e gra që dhanë gjithçka për këtë vend, e rrënjosën thellë në shpirtrat tanë këmbënguljen për ta arritur lirinë e për ta krijuar shtetin e pavarur”, ka shkruar Osmani, duke shtuar se Rugova ishte unifikues i jashtëzakonshme.

“Përtej kësaj, ai e krijoi dhe na e la trashëgim edhe modelin e papërsëritshëm dhe të pakapërcyeshëm të politikanit humanist, unifikues i jashtëzakonshëm i popullit të vet e përafrues i madh i të tjerëve rreth vlerave të vendit të tij. Ai insistonte që për ta arritur lirinë fizike, duhej kultivuar para së gjithash lirinë e brendshme, si premisë mbi të cilën do ta realizonim lirinë për veten e për të tjerët. Ai na la trashëgim ura miqësie, të cilat i krijoi gjithandej globit, duke e vulosur përfundimisht aleancën e qëndrueshme e të përhershme të shqiptarëve me vendet demokratike. Këto, sikur dihet, i ndihmuan Kosovës që përfundimisht ta prekte ëndrrën për të jetuar e lirë, ëndërr që u bë realitet më 1999, me luftën çlirimtare të Kosovës. Si presidente e vendit do të kujdesem maksimalisht që trashëgimia e tij politike, miqësitë që i krijoi për ne, sidomos ajo me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe me vendet e BE-së dhe vendet e tjera demokratike anekënd botës, të ruhen e të kultivohen më tej”, ka shkruar Osmani.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ekspozita “Rrënjët” hapet sot për publikun, me punime të artistit…