Osmani: Donjeta Sadiku po rikthen rezultatet e gjeneratës së artë
Zëvendësministrja e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani, ka vlerësuar se boksierja Donjeta Sadiku po rikthen rezultatet e gjeneratës së artë të boksierëve nga Kosova, të cilët prekën majat e suksesit gjatë viteve ’70 dhe ’80. Sadiku deri tash ka depërtuar deri në gjysmëfinale të Botërorit që po mbahet në Stamboll.
“Donjeta Sadiku është femra e parë në historinë e sukseseve të boksit të Kosovës që siguroi medalje të nivelit botëror. Ajo me këtë arritje po rikthen rezultatet e gjeneratës së artë të boksierëve nga Kosova, të cilët prekën majat e suksesit gjatë viteve ’70 e ’80. Përderisa vitin e kaluar Kosovës iu ndalua padrejtësisht pjesëmarrja në kampionatin botëror të boksit për meshkuj nga ana e Serbisë në Beograd, suksesi i Donjetës është përgjigjja më e mirë për të dëshmuar te komuniteti ndërkombëtar se sportistët tanë janë pjesë e elitës botërore. Storja e Donjetës, e cila mbërthen në vete shumë sakrifica dhe përkushtim, do të mbetet pjesë e historisë sonë dhe motiv për sportistët e tjerë. Bravo Donjeta! Suksese më të mëdha në ndeshjen e radhës”, ka thënë Osmani.