
Osmani: Draft-statuti i BE-së për Asociacionin është në shpërputhje me Kushtetutën
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë të enjten se takimi që ka zhvilluar në fillim të kësaj jave me të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, ka qenë më shumë njoftues për qëndrimet e palës kosovare.
Ajo ka thënë se në detaje ia kanë prezantuar vërejtjet sa i përket draft-statutit të BE-së për Asociacionin e komunave me shumicave serbe.
“Më shumë u njoftua rreth qëndrimeve tona sesa që morëm qëndrime nga ana e tij”, ka thënë Osmani në një konferencë të përbashkët me homologun nga Letonia, Edgars Rinkevics, me të cilin paraprakisht ka zhvilluar një takim në presidencë.
Osmani ka bërë me dije se diskutimet për Asociacionin do të vazhdojnë edhe më tej.
Më tutje, Osmani ka thënë se draft-statuti aktual i Asociacionit nuk e kalon testin e Gjykatës Kushtetuese pasi sipas saj është në shpërputhje me Kushtetutën e Kosovës.
“Po flasim për çështjen e draft-statutit të BE-së që unë personalisht besoj që nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, nuk është në përputhje as me vlerat dhe normat e BE-së dhe standardet e KiE, pastaj dhe po ashtu nuk është në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të 2015-ës. Një draft-statut i tillë që bie ndesh me këto të tria s’ka si të hyjë në fuqi dhe as nuk besoj që do të mund të kalonte testin në Gjykatën Kushtetuese që tashmë ka vendosur standarde për shumë nga këto tema të vendosura brenda draft-statutit siç janë kompetencat ekzekutive të Asociacionit”.
“Pra, ishte më shumë takim njoftues rreth qëndrimeve tona jo vetëm për draft-statutin, por edhe për procesin e dialogut në përgjithësi”, ka thënë Osmani.
Osmani ka thënë se në procesin e dialogut deri më tani nuk është trajtuar parimi i barazisë mes palëve.
“Ka qenë një proces i njëanshëm që e ka dëmtuar edhe vetë kredibilitetin e procesit. Tani me lidershipin e ri të BE-së shpresojmë shumë kjo balancë dhe kjo barazi të kthehet në tavolinë sepse do t’i ndihmonte edhe vetë procesit, si rrjedhojë shpresoj që të ketë rezultate më pozitive”, ka thënë Osmani.