Osmani: E ardhmja u takon atyre që guxojnë
Kandidatja për deputete nga lista e Lëvizjes Vetëvendosje Vjosa Osmani, përmes një videpostimi në Facebook, ka thënë se e ardhmja është e atyre që guxojnë (që është edhe slogani i Listës Vjosa).
Ajo ka thënë se Kosova ka nevojë për udhëheqje të re, derisa ka shtuar se ditët më të mira janë para qytetarëve të vendit.
“Historia jonë është një histori e guximit. Themelet e vendit dhe shoqërisë sonë janë ndërtuar mbi guximin. Kur na thonin që të mos flasim gjuhën tonë dhe të mos i lexojmë librat tanë të historisë, ne guxuam. Kur ne po kalonim kohërat më të vështira, mërgata jonë ishte pranë nesh sepse ata guxuan. Kur na thonin se një Kosovë e pavarur nuk ishte e mundur, ne guxuam”.
“Sot ne përballemi me një sfidë që nuk është parë për breza të tërë – po përballemi me pandeminë e cila e ka goditur fort edhe ekonominë tonë. Përtej kësaj, Kosova prej vitesh po përballet me armikun tonë më të madh – korrupsionin. Sot ne duhet të kemi guxim për ta luftuar atë. Kosova ka nevojë për udhëheqje të re, sepse ti meriton më shumë. Ne të gjithë së bashku meritojmë më mirë”.
“Ti meriton qeverisje e cila garanton barazi, që të mundëson të marrësh shërbime shëndetësore pa i zbrazur xhepat, ku ke qasje dhe mundësi të barabarta në arsim e ku meritokracia është bazë për punësim. Unë jam e bindur se kjo e ardhme është e mundur. Ditët më të mira i kemi para nesh. Krejt së bashku drejt një të ardhme më të mirë, sepse e ardhmja iu takon atyre që guxojnë”.