Osmani e ballafaqon Vuçiqin me të mbijetuarën e masakrës së Poklekut
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në fjalën e saj në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), ka ballafaquar presidentin e Serbisë me të mbijetuarën e masakrës së Poklekut të Drenasit, Elhame Muqolli, e cila së bashku me Vasfije Krasniqin, Fahrije Hotin dhe Shyhrete Tahirin janë duke e shoqëruar presidenten.
Ajo ka treguar para anëtarëve të Këshillit të Sigurimit të OKB-së se si është masakruar dhe djegur familja e saj dhe se si ka shpëtuar ajo nga regjimi i Millosheviqit, ku Vuçiqi ka qenë ministër i Propagandës.
Osmani ka treguar se si regjimi i Millosheviqit ka tentuar t’i zhdukë gjurmët e masakrës së Poklekut dhe të masakrave të tjera, por që sipas saj nuk ia ka arritur.
Po ashtu, ajo ka treguar edhe për dhunimin e Vasfije Krasniqit dhe të Shyhrete Tahirit.
Osmani ka folur edhe për rastin e Fahrije Hotit, e cila edhe më tutje e ka të zhdukur bashkëshortin.