Osmani e Kurti bëjnë homazhe te varri i heroit Zahir Pajaziti në Orllan
Pas homazheve te shtatoret e heronjve në Sheshin e Dëshmorëve në Podujevë, presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti kanë bërë homazhe dhe kanë vendosur kurora lulesh edhe te varri i heroit Zahir Pajaziti në Kompleksin Memorial në Orllan.
“Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu janë pararoja e UÇK-së dhe lajmëtarët e lirisë së Kosovës. Ata ishin patriotë të devotshëm, organizatorë të zotë dhe luftëtarë të paepur. 25 vjet më parë, angazhimi i tyre për lirinë e vendit u ndal mizorisht në një pritë, në të cilën tre patriotët ranë në përjetësi. Ata janë fryma çlirimtare, krenaria e shtetit të Kosovës dhe udhërrëfyes për brezat!”, ka thënë Osmani.
“Komandanti Zahir Pajaziti ishte ndër pararendësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai bashkë me Hakif Zejnullahun dhe Edmond Hoxhën kryenin aksione kundër okupatorit edhe para se të fillojë lufta çlirimtare”, ka theksuar kryeministri Kurti pas homazheve në sheshin e Dëshmorëve në Besianë, në 25-vjetorin e rënies së tyre.
Ai ka pohuar se Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu ishin kushtrimi i çlirimit dhe ata i dhanë një hov të jashtëzakonshëm Ushtrisë Çlirimtare. “E rritën edhe besimin e popullit në UÇK, por edhe vetëbesimin e popullit”, ka thënë Kurti.
Sot, shënohet 25-vjetori i rënies së tre heronjve të kombit, Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha.