
Osmani e Kurti i thonë Macronit se propozimi franko-gjerman është bazë e mirë
Në takim me presidentin Macron, presidentja Osmani dhe kryeministri Kurti kanë diskutuar për thellimin e marrëdhënieve bilaterale në mes të dy shteteve, dinamizimin e dialogut Kosovë-Serbi, si dhe zhvillimet e fundit në Kosovë, rajon dhe Evropë.
Sa i përket dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, presidentja Osmani dhe kryeministri Kurti e falënderuan presidentin Macron për angazhimin e Francës, në bashkëpunim me Gjermaninë, për dinamizimin e këtij procesi.
Presidentja ritheksoi përkushtimin e plotë të institucioneve të Kosovës në procesin e dialogut, të bazuar në ruajtjen e sovranitetit, rendit kushtetues, integritetit territorial dhe funksionalitetit të Kosovës, të cilët janë të paprekshme.
Në takim, presidentja Osmani dhe kryeministri Kurti kanë potencuar se Kosova ka propozuar kornizën e përgjithshme të marrëveshjes, ndërsa kanë deklaruar se propozimi franko-gjerman shërben si bazë e mirë për diskutime të mëtejshme.