![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2025/02/K-12-600x360-1.jpg)
Osmani e Kurti sot marrin pjesë në Konferencën e Sigurisë në Munih
Konferenca e 61-të e Sigurisë në Mynih (MSC) do të mbahet nga sot deri më 16 shkurt 2025, në Mynih të Gjermanisë.
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar dje për në Mynih të Gjermanisë për të marrë pjesë në këtë konferencë triditore.
Në Gjermani për të marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë në Mynih (MSC) ka udhëtuar dje edhe presidentja, Vjosa Osmani.
Siç u bë me dije nga Presidenca, gjatë qëndrimit të saj në Mynih, Presidentja Osmani do të zhvillojë takime me liderë botërorë, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare dhe personalitete të rëndësishme të politikës globale, me fokus forcimin e partneritetit strategjik dhe avancimin e interesave të Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Përveç takimeve bilaterale, Presidentja Osmani do të marrë pjesë edhe në panele diskutimi që organizohen përgjatë konferencës.
Konferenca e Sigurisë në Mynih, e themeluar në vitin 1963, është një platformë e pavarur që synon promovimin e zgjidhjeve paqësore të konflikteve, dialogut ndërkombëtar dhe bashkëpunimit në mes shteteve.
Të premten, programi kryesor i konferencës do të fillojë me një fokus në sfidat e sigurisë globale, duke përfshirë qeverisjen globale, rezistencën demokratike, sigurinë klimatike dhe shumë tema të tjera.