Osmani e sheh si shpresë të re deklaratën e Michelit për zgjerimin e BE-së deri në vitin 2030
Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, po e sheh si shpresë të re njoftimin e kryetarit të Këshillit Evropian, Charles Michel për zgjerim të BE-së deri në vitin 2030.
Osmani ka thënë se Micheli ka theksuar se kjo qasje e rishikuar nuk është një alternativë ndaj anëtarësimit të plotë, por, siç është shprehur, një proces shpërblyes përgjatë rrugës drejt BE-së.
“Njoftimi i presidentit të Këshillit Evropian në Bled të Sllovenisë ku thuhet se BE-ja duhet të përgatitet për zgjerim deri në vitin 2030, jep shpresë të re”.
“Ai thekson se kjo qasje e rishikuar nuk është një alternativë ndaj anëtarësimit të plotë, por një proces shpërblyes përgjatë rrugës drejt BE-së. Në thelb, zhvendosja e fokusit nga anëtarësimi përfundimtar në procesin e vazhdueshëm të integrimit është një zgjidhje e favorshme win-win. Ai është në favor të një procesi me qasje të papengueshme, më të dobishme dhe më pak frustruese për të gjithë të përfshirët”, ka shkruar Osmani në rrjetet sociale.