Osmani ende i pavendosur, ka shanse të largohet nga Dukagjini
Padyshim njëra nga skuadrat më simpatike edicionin e kaluar në futbollin kosovar ishte Dukagjini i Klinës.
Ani pse skuadra luante në Ligën e Parë ajo zgjoi kureshtje të madhe tek opinioni, kjo pasi arriti t’i luante tri finale shumë të mëdha, ku në fund edhe u kurorëzua më rikthim në Superligë, shkruan Demokracia.com. Dukagjini fillimisht luajti në finale të Kupës të cilin e humbi nga Llapi pas ekzekutimit të penalltive. Më pas skuadra luajti në finale të Play-offit në Ligën e Parë më Flamurtarin të cilën e fitoi, derisa në finalen vendimtare për inkuadrim në Superligën e fitoj ndaj Trepçës ’89, duke kurorëzuar një sukses të madh.
Mirëpo, tash me inkuadrimin në Superligë drejtuesit e klubit duhet të mendojnë për ta kompletuar skuadrën pasi niveli në Superligë është bukur i madh. Ajo që vërehet deri tash skuadra i ka besuar shtabit teknik në krye me Armend Dallkun, por ende nuk ka sjellë ndonjë lojtar, madje edhe me lojtarët që e bartën barrën kryesore ende nuk i kanë nisur bisedimet për vazhdimin e kontratës.
Njëri nga ta është edhe sulmuesi, Labinot Osmani. Ai për Demokracia.com ka konfirmuar se ende nuk i ka nisur bisedimet me Dukagjinit dhe se shumë shpejt pritet të marrë vendim.
“Për momentin ende nuk kam vendosur diçka konkrete, jena në pushime deri kah fundi i muajit po pushojmë njëherë. Sa i përket të ardhmes, ka interesim të skuadrave por jo diçka ma konkret”, ka thënë Osmani i cili nuk e përjashton mundësinë që edhe të ndërrojë ambient.
“Ka gjasa të mbetem të Dukagjini, ka gjasa edhe diku tjetër por përparësi gjithsesi do t’i jap Dukagjinit e pastaj të shohim”, ka përfunduar Labinot Osmani.