Osmani: ‘Epopeja e UÇK’-së simbolizon lirinë që gëzojmë sot
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është epope e krenarisë dhe që simbolizon lirinë që qytetarët e Kosovës e gëzojnë sot.
Gjatë homazheve në Prekaz të Skenderajt, Osmani ka thënë se breza të tërë gjatë gjithë vitit shkojnë në Prekaz jo vetëm për t’u njohur me ngjarjen e 5,6 dhe 7 marsit por për t’u frymëzuar me shembullin e familjes Jashari dhe trimërinë të cilët dhanë gjithçka që Kosova të frymoj lirshëm.
“Sot jemi këtu së bashku me kryetarin e Kuvendit dhe kryeministrin që sërish në emër të popullit të Kosovës të shprehim mirënjohjen tonë të thellë, dhe përkujtimin tonë të përjetshëm për kryekomandantin Adem Jashari dhe gjithë familjen Jashari të cilët personifikojnë sakrificën më të lartë njerëzore që ka njohur historia jonë njerëzore. ‘Epopeja e UÇK’-së është epope e krenarisë së popullit tonë, epope që ka rikthyer dinjitetin e shtetit tonë e mbi të gjitha epope që simbolizon lirinë që e gëzojmë sot . Prandaj familja Jashari do të mbesin përjetë udhërrëfyes për brezat e tanishëm por edhe brezat që vijnë pas nesh. Siç i shihni jo vetëm tani përgjatë ditëve të epopesë por edhe gjatë ditëve të vitit kemi breza të ndryshëm që vijnë jo vetëm për të mësuar por edhe për tu frymëzuar me shembullin e familjes Jashari, me trimërinë, me vet faktin që ata ishin të gatshëm të japin gjithçka që Kosova të frymoj përjetë”, ka thënë Osmani.