Osmani, Escobarit dhe Lajçakut: Serbia, bllokuese e progresit në dialog

31 janar 2022 | 17:59

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim përfaqësuesin special të BE-së, Miroslav Lajçak dhe zëvendësndihmës sekretarin e SHBA-ve, njëherit përfaqësues special për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, me të cilët ka diskutuar për zhvillimet në dialog dhe se si mund të ecet përpara me dialogun Kosovë-Serbi me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Sipas zyrës për informim të Presidencës, presidentja Osmani ka theksuar se Republika e Kosovës është e përkushtuar për dialog që ka në qendër njohjen reciproke dhe u shpreh se Kosova e ka dëshmuar këtë me angazhimin e saj aktiv dhe me propozimet e bëra përgjatë procesit.

Ajo gjithashtu ka përsëritur qëndrimin e Kosovës se marrëveshja për njohje reciproke nuk duhet të prekë sovranitetin, integritetin territorial dhe rendin kushtetues të Kosovës. “Është tashmë e qartë se Serbia po e bllokon progresin në dialog nëpërmjet qasjes së saj jokonstruktive”, ka potencuar presidentja.

“Duke vënë në pah konstruktivitetin e Kosovës, presidentja, gjithashtu bëri të qartë se lista e marrëveshjeve që nuk janë zbatuar nga Serbia është e gjatë dhe duhet të trajtohet urgjentisht nëse duam të rivendosim besimin në procesin e dialogut. Ajo tha se Serbia jo vetëm që vazhdon të mos zbatojë marrëveshjet e mëparshme, por ajo gjithashtu shfaq pengesa të qarta sa herë që marrin pjesë në takimet e organizuara në kuadër të dialogut në Bruksel. Në këtë drejtim, presidentja tha se pret trajtim të barabartë të palëve në këtë proces nga ana e Bashkimit Evropian si ndërmjetësues i dialogut”, ka njoftuar Presidenca.

Presidentja Osmani po ashtu ka theksuar edhe një herë rëndësinë absolute të ndriçimit të fatit të personave të zhdukur me dhunë si prioritet i procesit të dialogut.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Skuadra e Juventusit ka konfirmuar se Dejan Kulusevski dhe Rodrigo…