Osmani flet në BBC për Asociacionin: Kosova nuk po ikë nga obligimet e saj
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka folur për dakordimin e arritur më 2 maj mes Kosovës dhe Serbisë lidhur me Deklaratën për të Zhdukurit, duke e konsideruar si arritjen më të madhe të procesit të dialogut.
Në një intervistë për mediumin prestigjioz BBC News, Osmani ka thënë se nevojitet bashkëpunimi i Serbisë për të gjetur të zhdukurit nga lufta, teksa shpreson se fqinji verior do t’i zbatojë obligimet e marrëveshjes.
“Unë mendoj se kjo është një nga arritjet më të mëdha të dialogut, sepse është një marrëveshje që prek direkt qytetarët tanë. Më shumë se 1600 familje në Kosovë janë akoma duke bërë më të mirën të mundshme për të gjetur mbetjet e të zhdukurve gjatë luftës pasi u zhduken me forcë nga regjimi i Millosheviqit. Natyrisht që ne besojmë që janë në varreza masive në Serbi, por na nevojitej Serbia të bashkëpunonte. Tani kyçe është përmbushja e marrëveshjes. Unë me të vërtetë shpresoj që Serbia do t’i zbatojë të gjitha obligimet”, ka thënë Osmani.
E para e shtetit ka folur edhe për çështjen e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, duke thënë se në Bruksel janë nënshkruar plot 40 marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, e se Asociacioni është vetëm njëra nga këto marrëveshje.
Osmani ka theksuar se Kosova nuk po ikë nga obligimet e saj dhe se shteti ynë është i gatshëm të bëjë gjithçka bazuar në standardet evropiane për të akomoduar të drejtat e serbëve.
“Vetëm për t’i vënë gjërat në kontekst, këtu janë nënshkruar pothuajse 40 marrëveshje në Bruksel midis liderëve të Kosovës dhe Serbisë në 11 vitet e fundit. Çështja e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe ka qenë vetëm një nga këto marrëveshje. Duhet përmendur që shumica e këtyre marrëveshjeve nuk janë zbatuar nga Serbia, përfshirë obligimin për të njohur dokumentet e Kosovës”, ka thënë ajo.
Presidentja Osmani ka theksuar se të gjitha marrëveshjet duhet të shtyhen për t’u zbatuar dhe thotë që Kosova nuk po ikë nga obligimet e saj.
“Të gjitha marrëveshjet duhet të shtyhen për t’u zbatuar. Kosova nuk po ikë nga obligimet e saj. Çka ne jemi të gatshëm të bëjmë, është të japim gjithçka bazuar në standardet evropiane, për të akomoduar të drejtat e serbëve. Por jo t’u japim serbëve një instrument përmes të cilit vazhdimisht do të injorojnë, të shkelin sovranitetin dhe funksionin e Kosovës si shtet” ka thënë presidentja e vendit, Osmani.Sinjali