Osmani flet para Këshillit të Sigurimit të OKB-së për dhunimet seksuale gjatë luftës (video)
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka folur para anëtarëve të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) lidhur me dhunimet seksuale të kryera gjatë luftës në Kosovë.
Osmani ka përmendur Vasfije Krasniqi-Goodman, e cila ka dalë publikisht të flasë për këtë çështje.
“Ajo ia kushtoi jetën drejtësisë dhe u shndërrua në zërin e mijëra të mbijetuarve të dhunës seksuale të kohës së luftës në Kosovë”, ka thënë Osmani.
Më tutje, ajo ka thënë se dhuna seksuale ishte një nga “taktikat brutale të përdorura nga regjimi i Millosheviqit”.
Osmani ka thënë se s’ka qenë e lehtë për ta, por të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë kërkojnë drejtësi dhe duan që stigmatizimi i tyre të luftohet.
“Është e domosdoshme të sigurohet që të mbijetuarit të kenë akses për të pasur kujdes shëndetësor, kujdes psikologjik”, ka thënë Osmani.
Duke shpërndarë fjalimin e saj në “Facebook”, Osmani e ka falënderuar Shqipërinë “për nismën, si dhe për ftesën që të flas në emër të Republikës së Kosovës, duke i dhënë kështu zë mijëra të mbijetuarave të dhunës seksuale në luftën e fundit në Kosovë”.
“Mirënjohëse edhe ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Mbretërisë së Bashkuar si bashkë-organizatorë të kësaj seance”, ka theksuar Osmani.