Osmani flet për presione dhe kërcënime nga sistemi prokurorial
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas vendimit të mosdekretimit të Blerim Isufajt për kryeprokuror të shtetit, ka deklaruar se zyrtarë të institucioneve të drejtësisë “mendojnë që mund ta kërcënojnë kreun e shtetit”.
“Shqetësuese është kur zyrtarët e institucioneve të drejtësisë mendojnë që mund ta kërcënojnë kreun e shtetit. Në një vend demokratik, ata që mendojnë se mund të marrin vendime duke kërcënuar kreun e shtetit, do të përfundonin jashtë sistemit. Në një vend demokratik, por e kemi sistemin si e kemi, prandaj vettingu është i domosdoshëm. Ato janë presione të paligjshme, kur mendojnë se duke kërcënuar kreun e shtetit, do ta bëjnë atë e këtë, e do të marrin nënshkrime, nuk do të marrin nënshkrime me presione të tilla. Jam e pavarur nga çdo ndikim tjetër, por jam e varur nga Kushtetuta dhe ligjet e vendit tim. Këtë ta kenë të qartë ata që mendojnë se ndryshe merren vendimet”, ka thënë Osmani në një konferencë për medie të martën.
Më tutje, Osmani ka thënë se ka pasur mesazhe ku thuhej se “do të ngrisim aktakuza dhe do t’ua lidhim duart”.
“Ka pasur presione të tjera, njerëz që dërgonin mesazhe që nëse nuk e dekreton nuk e nënshkruan do të bëjmë dosje, do të ngrisim aktakuza, do t’i lidhim duart. Por, ata duhet ta dinë që këto më shumë se dy dekada që jam në politikë presionet asnjëherë nuk kanë bërë punë”, ka thënë ajo.