Osmani flet për rëndësinë që do ta ketë në programin qeverisës dialogu me Serbinë
Nënkryetarja e LDK-së, Vjosa Osmani, sot ka takuar ambasadorin e Italisë, Piero Cristoforo Sardi.
Me këtë rast, Osmani e ka falënderuar ambasadorin Sardi për bashkëpunimin dhe përkrahjen e deritanishme që Italia i ka ofruar Kosovës në të gjitha proceset shtetformuese.
Në komunikatën e LDK-së është thënë se Osmani e ka njoftuar ambasadorin Sardi për ecurinë e takimeve të grupeve punuese të LDK-së me ato të LV-së drejt një programi të unifikuar bashkëqeverisës.
“Znj. Osmani ripotencoi rëndësinë që do të kenë në programin e Qeverisë së ardhme dialogu Kosovë-Serbi dhe reformat në sektorët kyç zhvillimor. Ambasadori Sardi uroi znj. Osmani për mbarëvajtjen e suksesshme të zgjedhjeve parlamentare dhe shprehu gatishmërinë e Qeverisë italiane për të vazhduar përkrahjen ndaj proceseve të rëndësishme në Kosovë”, është theksuar në komunikatën e LDK-së.
/Epoka e re/